UBT News

Jo vetëm SHBA-ja, edhe BE i propozon Ukrainës një marrëveshje për mineralet e rralla

Bashkimi Evropian ka ofruar një marrëveshje për “materialet kritike” me Ukrainën.

Pas deklaratave të Donald Trump, se Uashingtoni është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje me Kievin për marrjen e të drejtave të pasurive natyrore, edhe Bashkimi Evropian ka ofruar një marrëveshje për mineralet e rralla të Ukrainës.

Komisioneri i BE-së për Strategjinë Industriale, Stéphane Séjourné, tha se ai ka propozuar një marrëveshje alternative për autoritetet ukrainase gjatë një vizite në Kiev, për 3-vjetorin e nisjes së luftës.

Shtatëmbëdhjetë nga 30 materialet kritike që Evropa ka nevojë mund të sigurohen nga Ukraina në një partneritet të dobishëm për të dyja palët,” tha Séjourné, sipas AFP-së.

Vlera shtesë që ofron Evropa është se ne kurrë nuk do të kërkojmë një marrëveshje që nuk është reciprokisht e dobishme,” shtoi ai.

Presidenti Trump ka bërë kërkesa gjithnjë e më agresive për Ukrainën për të drejtat mbi pasuritë e saj minerale, duke kërkuar deri në 500 miliardë dollarë kompensim për mbështetjen ushtarake që Uashingtoni i ka dhënë Kievi.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka refuzuar deri tani të nënshkruajë dy projekte marrëveshjesh të propozuara nga administrata e Trump, duke thënë se kushtet të cilat përfshinin dorëzimin e mineraleve ishin tepër të ashpra.

Nuk do të nënshkruaj atë që 10 breza ukrainas do të detyrohen ta paguajnë,” tha Zelenskyy në një konferencë për shtyp të dielën.

Por Trump insistoi të hënën se një “marrëveshje përfundimtare” është “shumë afër”.

Ukraina ka depozita të mëdha të elementeve dhe mineraleve kritike, nga litiumi deri te titani, të cilat janë thelbësore për prodhimin e teknologjive moderne dhe baterive elektrike.

Po ashtu, Ukraina ka rezerva të mëdha karboni, si dhe naftë, gaz dhe uranium, por shumë nga këto ndodhen në territore që janë nën kontrollin e Rusisë.

Exit mobile version