UBT News

Jim Xhema ofroi përkrahjen e tij të parezervë për të rinjtë e Kosovës – UBT emëron objektin kryesor “Jim Xhema Building”

Lobuesi më i madh i Pavarësisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jim Xhema, në vizitën e tij në Parkun Shkencor të UBT-së në Lipjan, gjatë konferencës shkencore “Kosova and New Urbanism: Resilience, Innovation, Technology, Sustainability and Investments”, shprehu përkrahjen e tij të parezervë për studentët dhe të rinjtë e Kosovës.

Ai u shpreh shumë falënderues dhe mirënjohës për respektin dhe nderimin që iu bë në UBT, njëherit potencoi se do të vazhdojë të kontribuojë dhe angazhohet për studentët, të rinjtë shqiptarë dhe për të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Më duhet që të sigurohem që ju e dini se jeni ardhmëria dhe shpresa jonë. Pa ju nuk ka asgjë dhe nuk do të arrihet shumë. Ju duhet që të angazhoheni e studioni shumë për të punuar për sigurinë e vendit tonë dhe ardhmërinë. Duhet t’i merrni studimet shumë seriozisht. Unë personalisht do të qëndrojë i kyçur me ju këtu dhe do të bëjë fonde me të cilat do të sigurohem që bashkërisht t’i arrijmë qëllimet tona”, u shpreh ai.

Në praninë e atdhetarit Jim Xhema, rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, përfaqësuesve të Federatës Panshqiptare “VATRA”, përfaqësuesve të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, profesorëve dhe studentëve të UBT-së, u zbulua pllaka me emrin “Jim Xhema Building”.

Objekti kryesor në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, do të mbajë emrin “Jim Xhema Building”, në nderim dhe respekt të veprimtarit të shquar për çështjen kombëtare dhe lobuesit më të madh shqiptar për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, Jim Xhema.

Exit mobile version