UBT News

Jeta studentore dhe inovacioni në zemër të Kampusit të UBT-së në Lipjan

Kampusi Inovativ i UBT-së në Lipjan po kthehet në epiqendrën e inovacionit, teknologjisë dhe jetës studentore në Kosovë dhe më gjerë. Me një qasje unike multidisiplinare dhe një infrastrukturë moderne, ky kampus ofron një mjedis të pasur për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve nga të gjitha nivelet e arsimit – që nga shkollat fillore e deri në programet pasuniversitare.

Parku Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së në Lipjan përfshin mbi 40 laboratorë të specializuar, hapësira bashkëpunuese, qendra kërkimore dhe bibliotekën më të madhe në vend – duke shërbyer si një hapësirë kreative ku idetë marrin jetë dhe studentët sfidohen të mendojnë ndryshe. Ky park është projektuar për të lidhur teorinë me praktikën dhe akademinë me industrinë, duke u ofruar studentëve mundësinë që të angazhohen në projekte reale, start-up-e, kërkime shkencore dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Jeta studentore në këtë kampus është dinamike, e gjallë dhe plot mundësi. Përveç mësimeve, studentët janë të angazhuar në klube inovative, gara ndërkombëtare të teknologjisë, aktivitete kulturore dhe projekte sociale që kontribuojnë në zhvillimin e tyre të gjithanshëm. Partneritetet me mbi 300 institucione ndërkombëtare dhe mundësitë për shkëmbim akademik e bëjnë këtë kampus një portë drejt botës për të rinjtë kosovarë.

Drejtoresha e Kampusit të Lipjanit, Lirigzona Morina, thekson rëndësinë që UBT i jep zhvillimit gjithëpërfshirës të studentëve:

Ne punojmë çdo ditë për të krijuar një mjedis ku secili student ndjehet i frymëzuar, i mbështetur dhe i sfiduar për të arritur potencialin e tij maksimal. Kjo është një platformë ku formohen liderët e së ardhmes“, thotë Morina.

Përmes këtij angazhimi dhe përkushtimi ndaj cilësisë, UBT jo vetëm që po transformon arsimimin në Kosovë, por edhe po ndërton një kulturë të inovacionit dhe ekselencës që ndikon pozitivisht në të gjithë rajonin.

Studentët tanë janë inovatorë, krijues dhe kontribues aktivë në zhvillimin e së ardhmes. Misioni ynë është t’u japim atyre mjetet, hapësirën dhe mbështetjen që u nevojitet për të ndërtuar diçka me vlerë“, përfundon Morina./UBTNews/

Exit mobile version