Përleshjet midis palestinezëve dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa të Jerusalemit plagosën 42 persona të premten, tha Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, pas disa javësh dhune.
Trazirat erdhën të premten e fundit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Asnjë nga lëndimet nuk ishte serioz, tha Gjysmëhëna e Kuqe, duke shtuar se 22 persona ishin dërguar në spital.
Policia izraelite tha se forcat hynë në kompleks pasi – sipas tyre – “rebelët” hodhën gurë dhe fishekzjarre, drejt Murit Perëndimor, vendin e shenjtë hebre poshtë Al-Aksas.
Deklarata tha se oficerët përdorën mjete për të frenuar trazirat. Dëshmitarët dhe gazetarët e AFP-së thanë se policia hodhi gaz lotsjellës dhe plumba gome.
Policia tha se tre persona ishin arrestuar, dy për gjuajtje me gurë dhe një për “nxitje të turmës”.
Gjatë dy javëve të fundit, rreth 300 palestinezë janë plagosur në përleshjet në kompleksin Al-Aksa, vendi i tretë më i shenjtë i myslimanëve./UBTNews/