UBT News

Jepen detaje nga takimet e Bislimit në Bruksel

Zyra e kryeministrit njofton se në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e zhvilluara në nivel të kryenegociatorëve në kuadër të procesit të dialogut.

Sipas njoftimit thuhet se në takimin bilateral me Bashkimin Evropian dhe emisarin Miroslav Lajçak ky i fundit e dënoi fuqishëm sulmin e fundit në kanalin e Ibër Lepencit, duke shprehur mbështetjen e plotë për Kosovën.

U diskutua mbi marrëveshjen për personat e zhdukur me dhunë, ku dhe u arrit dakordimi mbi termat e referencës të grupit punues, përmes së cilës Kosova nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u. Temë e trajtuar në kornizën e dialogut ishte edhe rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin Implementues të Ohrit”, thuhet në njoftim.

Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu se Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive, ka ofruar në vazhdimësi komentet dhe propozimet e saj dhe ka shfaqur gatishmërinë për ecjen përpara.

Theksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe zbatimit në tërësi të saj. Nga ana tjetër shtoi se Serbia vazhdon të mos e pranojë të njëjtën dhe ta mohojë atë duke mos bërë asnjë hap drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes. Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet tutje.

Poashtu thuhet se emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.

Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, thuhet se zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit.

Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra e kryeministrit.

Exit mobile version