Aktorja e njohur hollywoodiane Jennifer Aniston ka rrëfyer me sinqeritet të plotë arsyen pse ka zgjedhur të mos adoptojë një fëmijë, pas një periudhe të gjatë dhe të dhimbshme për t’u bërë nënë.
Në një intervistë emocionale për podkastin “Armchair Expert”, 56-vjeçarja tregoi se për më shumë se dy dekada ka provuar të mbesë shtatzënë përmes fekondimit in vitro (IVF), por pa rezultat.
“Ka një moment kur e kupton se nuk është më në dorën tënde,” tha Aniston, duke pranuar se tashmë është pajtuar me realitetin e infertilitetit.
Ajo sqaroi se adoptimi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e planeve të saj:
“Nuk dua të adoptoj. Dua ADN-në time tek një person i vogël. Mund të tingëllojë egoiste, por kështu e kam ndjerë gjithmonë.”
Ylli i serialit kult “Friends” pranoi se për vite të tëra ka qenë nën presionin e mediave dhe të opinionit publik për mungesën e një fëmije, por sot ndjehet e qetë dhe e plotësuar me jetën që ka ndërtuar.
Në deklarata të mëparshme, Aniston ka folur edhe për stigmën ndaj grave që nuk bëhen nëna, duke theksuar se “gratë janë të plota me ose pa fëmijë.”
Aktualisht, ajo po shijon një periudhë të qëndrueshme në jetën personale dhe profesionale, duke vazhduar me sukses karrierën si aktore dhe producente në serialin “The Morning Show”. /A.Z/UBT News/