UBT News

Jeff Bezos padit NASA-n për tenderin e anijeve kozmike fituar nga kompania e Elon Musk

Kompania hapësinore e Jeff Bezos, “Blue Origin”, ka paditur NASA-n për tenderin që i dha kompanisë së Elon Musk “Space X” të drejtat për të prodhuar anije kozmike që do të dërgojnë astronautë në Hënë.

Miliarderi amerikan Bezos i ka kërkuar një gjykate federale të rishikojë procedurën për “cenim të konkurrencës”.

Në muajin prill NASA ia dha tenderin prej rreth 3 milionë dollarësh kompanisë së Musk-ut, “Space X”.

Gara për këtë tender, që pritej të kishte dy kontrata, ishte në diskutim me “Blue Origin” të Bezos-it, dhe kompanisë Dynetics.

Pas vendimit, në muajin korrik, “Blue Origin” u ankua në autoritetet federale, të cilat e hodhën poshtë me argumentin se “NASA nuk kishte shkelur asnjë rregull dhe se ajo e kishte të drejtën për të shpallur ose jo një, dy apo disa fitues në garë”.

“Blue Origin” reagoi duke deklaruar se autoritetet federale nuk ishin në gjendje t’u përgjigjeshin shqetësimeve të saj për “probleme thelbësore me vendimin”.

Javën e shkuar “Blue Origin” publikoi një grafik informues me të cilin pretendoi se anija kozmike e “Space X” nuk është hedhur ende në hapësirë për provë pasi është ende në fazën e projektimit dhe projekti paraqet “kompleksitet dhe rrezikshmëri të lartë”.

Në lidhje me këtë reagoi në Twitter vetë sipërmarrësi i suksesshëm i kompanisë “Tesla”, Elon Musk, i cili e ironizoi pretendimin.

NASA ka vendosur si synim që të dërgojë sërish astronautë amerikanë në Hënë. Objektiv është deklaruar viti 2024 dhe projekti ambicioz parashikon që pjesë e grupit të jetë dhe një astronaut vajzë.

Për këtë ajo vendosi në fillim të këtij viti që t’u kontraktojë disa kompanive private prodhimin e raketave kozmike.

Padia në gjykatën federale e “Blue Origin” e mban tashmë pezull këtë synim të NASA-s, pasi çështja duhet të marrë një vendim të formës së prerë për të vijuar më tutje.

Exit mobile version