Reperi dhe sipërmarrësi amerikan Jay-Z do të rikthehet në ekran me një seri të re dokumentare me titull “Jay-Z in 8”, e cila do të shfaqet në HBO këtë vjeshtë.
Dokumentari përbëhet nga tetë episode dhe ndjek rrugëtimin krijues të artistit, duke sjellë rrëfime për muzikën, tekstet dhe përvojat personale që kanë formësuar jetën dhe karrierën e tij. Së fundmi është publikuar edhe traileri i parë, që ofron një pamje të shkurtër të projektit.
Regjinë e dokumentarit e ka realizuar producenti legjendar Rick Rubin për HBO Documentary Films. Rubin, i cili është renditur nga revista TIME ndër “100 njerëzit më me ndikim në botë”, ka bashkëpunuar prej vitesh me Jay-Z dhe ishte producent i këngës ikonike “99 Problems”, pjesë e albumit “The Black Album” të publikuar në vitin 2003.
“Jay-Z in 8” është prodhim i kompanisë Tetragrammaton. Rick Rubin mban rolin e producentit ekzekutiv së bashku me Shawn Carter, emri i vërtetë i Jay-Z, dhe aktorin Daniel Kaluuya. Sipas Deadline, pjesë e ekipit të producentëve janë edhe Lela Mattimore dhe David Rohde.
Jay-Z është një nga artistët më të suksesshëm në historinë e hip-hopit, me 25 çmime Grammy. Në vitin 2017 ai u bë reperi i parë që u përfshi në Songwriters Hall of Fame, ndërsa në vitin 2021 hyri në histori si artisti i parë solo i hip-hopit, ende në jetë, që u përfshi në Rock & Roll Hall of Fame. Që nga viti 2008, ai është i martuar me këngëtaren Beyoncé, me të cilën ka tre fëmijë./A.K/
