UBT News

Jay-Z pritet të performojë në Super Bowl 2027

Reperi amerikan Jay-Z pritet të ngjitet në skenën e Super Bowl 2027, që sipas njoftimit të publikuar do të mbahet më 14 shkurt në stadiumin SoFi, në Inglewood të Kalifornisë, pranë Los Angelesit.

Lajmi është bërë i ditur nga Liga Kombëtare e Futbollit Amerikan (NFL), ndërsa Apple Music ka reaguar në rrjetin social X me mesazhin: “Sekreti u zbulua”, duke iu referuar reperit si një prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Jay-Z e ka cilësuar këtë si një rrugëtim të veçantë në karrierën e tij, duke kujtuar albumin e parë, “Reasonable Doubt”, dhe rrugën që e ka çuar drejt skenës së Super Bowl-it.

“Që nga ‘Reasonable Doubt’ deri te performanca në skenën e Super Bowl-it, ky ka qenë një rrugëtim i vërtetë”, ka deklaruar reperi në një komunikatë.

Komisioneri i NFL-së, Roger Goodell, ka vlerësuar bashkëpunimin me Jay-Z-në dhe kompaninë e tij Roc Nation, e cila punon me ligën që nga viti 2019 për organizimin dhe prodhimin e spektakleve muzikore.

Në kuadër të këtij partneriteti, Jay-Z ka luajtur rol në përzgjedhjen e artistëve që kanë performuar gjatë spektaklit të pjesës së parë të Super Bowl-it, mes tyre Shakira, Jennifer Lopez, The Weeknd, Kendrick Lamar dhe Bad Bunny.

Sipas raportimeve, kur nisi bashkëpunimi me NFL-në, Jay-Z i kishte thënë Goodell-it se bisedimet mund të përfundonin nëse qëllimi ishte që ai vetë të performonte në Super Bowl.

Roc Nation do të jetë producent ekzekutiv i spektaklit të vitit 2027, ndërsa regjinë do ta realizojë Hamish Hamilton.

/A.K/

Exit mobile version