Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që në javën e ardhshme të mbahet seanca për shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për medie shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Këtë vendim të Kryesisë ai e ka cilësuar si goditje ndaj mediumit publik. Shkarkimin e Bordit të RTK-së, Tahiri tha se do ta kundërshtojnë edhe në seancën e Kuvendit.
“Më në fund Kryesia e Kuvendit arriti me pas kuorumin dhe me pas seancën e radhës. Seancën e radhës që mbahet javën që vjen kjo mazhorancw ka vendosur të degradojë institucionet e pavarura. Pjesë e kësaj seancë do të jetë shkarkimi i Bordit të RTK-së. Kuvendi është shndërruar në institucion që u shërben interesave të ngushtë të këtij pushteti të udhëhequr nga Albin Kurti. Ne e kemi kundërshtuar sot këtë në Kryesi do ta kundërshtojmë edhe në Kuvend. Nuk po shohim agjendë zhvillimore e rimëkëmbje ekonomike, por vetëm risistemon të fuqishëm të aktivistëve dhe të familjarëve të tyre”, deklaroi ai.