Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë javën e ardhshme lidhur me procesin e verifikimit të nënshkrimeve. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u tha se nuk ka përfunduar ende procesi i verifikimit të nënshkrimeve të serbëve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se java e ardhshme do të jetë përfundimtare për këtë proces dhe se paraprakisht do të miratojnë disa rregullore të brendshme.
“Ju njoftojë që javën tjetër, diku ka fundi i javës do ta trajtojmë atë çështje. Nuk jemi të gjithë, në tërësi të gatshëm me të. Java tjetër do të jetë përfundimtare lidhur me peticion. Procesi nuk ka përfunduar, javën tjetër do të jemi në një takim të tillë dhe do ta trajtojmë. Afër jemi, por nuk ka përfunduar tërësisht procesi. Javën tjetër, unë po besoj kah fundi i javës e mbajmë një mbledhje, paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme zgjedhor çka janë të nevojshme për çfarëdo procesi zgjedhor në të ardhmen”, ka thënë Radoniqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 janar kishte njoftuar se ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është vendosur edhe për regjistrimin e një partie serbe në Kosovë.
Drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se kjo parti politike do të ketë numrin rendor 51.
“Zyra i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aprovimin e kërkesës për regjistrim të partisë politike-Srpski Narodni Pokret (SNS). Në rast të regjistrimit, marrjes së vendimit për aprovim, iniciativa politike Srpski Narodni Pokret (SNS) do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara dhe do të jetë partia me numër rendor 51”, tha ai.
Srpski Narodni Pokret (SNS) është partia e katërt serbe që regjistrohet në Republikën e Kosovës dhe që do të funksionojë në mesin e shumë partive të tjera në vendin tonë.
Pas vendimit të KQZ-së për regjistrim, kjo parti do të listohet në regjistrin e partive politike me numër 51.
Deri më tani nga radhët e komunitetit serb janë të regjistruara edhe tri parti politike, Srpska Lista me kryetar Zlatan Elek, Partija Kosovskih Srba me kryetar Aleksandër Jabllanoviq dhe Srpska Demokratija me kryetar Aleksandar Arenijeviq.