UBT News

Javën e ardhshme Kuvendi mban tri seanca

Kuvendi i Kosovës gjatë javës së ardhshme do t’i mbajë tri seanca plenare. Kështu ka njoftuar shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit, ku theksoi se të hënën do të mbahet seanca që shënon përvjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Para gazetarëve, shefja e deputetëve të shumicës parlamentare ka deklaruar se pozicioni i Kosovës në dialog është të ketë qasjen konstruktive.

“Historikisht Kosova ka qenë e bashkërenduar në hapat e saj, në proces me Serbinë me ndërmjetësit, në këtë rast SHBA-të, BE-në në kuadër të së cilës janë shtetet që e mbështetin këtë proces. Prandaj edhe në këtë fazë të procesit të dialogut, kjo është qasja e Kosovës që të nxjerr maksimumin nga hapësira e ngushtë e cila është krijuar ndër vite, më shumë se një dekadë në procesin e dialogut me Serbinë. Dhe natyrisht të sigurohen të gjithë mekanizmat garantues për ngritjen e subjektivitetit të Kosovës. Ajo çka për ne është shumë me rëndësishme, e cila fatkeqësisht është komprometuar në proceset e mëhershme, është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, njohja nga shtetet mos-njohëse, ngritja e mirëqenies dhe rritja e volumit ekonomik të Kosovës dhe vendeve të BE-së me rritjen e brendshme”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tregoi edhe për tri seancat e caktuara për javën e ardhshme.


“Sot u vendos që javën e ardhshme të mbahen tri seanca. E para, është të hënën me 6 mars me fillim në orën 12:00, seancë kjo e veçantë që e shënon përvjetorin e Epopesë së UÇK-së. E dyta është me 8 mars, ditën e mërkurë me fillim në orën 12:00 që është e caktuar si seancë me vazhdimin e pikave të papërfunduara të seancave të mëhershme, me agjendën e njëjtë, të cilën e kishim edhe ditën e djeshme, por për shkak të kërkesës për debatin parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, pikat mbeten të pa trajtuara. Dhe seanca e re e kuvendit e cila është caktuar për ditën e enjte, me fillim në orën 10:00, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare në shqyrtim të dytë janë dy projektligje, ai për pyjet dhe për sigurinë e përgjithshme të produkteve”,
 ka njoftuar Kusari-Lila.

Në seancën e së enjtes, ajo ka shtuar se në rend të ditës është edhe shqyrtimi në parim i Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimit të Asistuar Mjekësor dhe ai për Minierat dhe Mineralet. Ajo ka komentuar edhe grumbullimin e shumë pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

“Është e vërtetë që në dy seancat e fundit të cilat ishin të caktuara për të trajtuar pikat e pa përmbyllura nga seancat e mëhershme, ndodhën plotësim-ndryshime apo kërkesa të dy partive opozitare për plotësim-ndryshim të agjendës. Herën e kaluar arritëm të votojmë vetëm marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ishin të dërguara nga qeveria nga procesi i Berlinit. Ndërsa, kësaj radhe jemi dakorduar, kemi biseduar edhe dje në seancën maratonike që e kishim gjatë ditës së djeshme që të mërkurën nga ora 12:00 të fillojmë me agjendën e njëjtë, siç e kishim”, ka shtuar shefja e deputetëve të shumicës.

Ajo tha se sa i përket marrëveshjes ndërkombëtare për reformën e skemës sociale dhe pensionale, kanë konfirmimin nga dy parti opozitare, por jo edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 

Exit mobile version