UBT News

Jashari-deputetëve: Të jeni të një gjuhe që të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jasharit, në 25-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar spektrin politik që të jetë i bashkuar.

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, Jashari u bëri thirrje deputetëve që të jenë të bashkuar përballë Serbisë, e më pas të merren me çështje të tjera.

“I përshëndes të gjithë, duke i falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bijtë e bijat tona. Ne kemi arritur sot këtu, jemi tubuar të lirë t’i qajmë hallet së bashku njëri me tjetrin. I falënderoj nënat e dëshmorëve, motrat, veteranët, invalidët, familjarët e personave të zhdukur, të gjithë juve këtu. Ju uroj shëndet, lavdi e nder të gjithë atyre që ranë. Këtu është Kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit dhe të shtetit. Ju kisha sugjeruar që të jeni të një gjuhe dhe të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara. Të ndahemi një herë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi më të tjerat”, tha Jashari.

Exit mobile version