Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, Rrahman Jasharaj ka treguar për arsyen e thirrjes së konferencës së jashtëzakonshme për sot. Derisa ka bërë të ditur se do të padisin Ministrinë e Financave, gjegjësisht ministrin, Hekuran Muratin për deklaratat e tij të djeshme.
Jasharaj, i cili është edhe kryetar i Këshillit grevist të BSPK-së tha se nuk do të pezullojnë grevën, porse do të bëjnë një analizë të gjendjes që po mbretëron nëpër komuna. Ai tha se niveli i grevës është në nivelin më të lartë të mundshëm.
“Do ta bëjmë një analizë të gjendjes që e kemi parë nëpër komuna dhe pjesë kyçe do të jetë reagimi i BSPK-së ndaj deklaratës së ministrit Murati dhe hapat që do t’i ndërmarrë BSPK-ja ndaj kësaj tendence që është edhe antikushtetuese dhe antiligjore e që ka për tendencë frikësimin dhe pengimin e zërit sindikal”, tha ai.
Ai ka thënë se do të përdorin të gjithë hapat ligjor për të drejtën e tyre, pasi po konsiderojnë se është shkelur e drejta e tyre për grevë.
“Fati ynë është se edhe avokatët e Kosovës janë shprehur kundër asaj deklarate, të një sekretari fillimisht, dhe kundër kësaj deklarate, dhe ata janë paraqitur vullnetarë që të na marrin në mbrojtje dhe të bëjnë procedurat e duhura dhe nuk përjashtohet as padia. Jam i sigurt që do të bëhet… Si kryetar i Këshillit grevist do të insistoj, do t’i lus kolegët e mi që janë të fushës që ta bëjnë këtë”, ka thënë ai.
Ndonëse tha se nuk mund të thotë se kur pritet të dorëzojnë padinë, ai tha se do të padisin ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
“Kam bindjen, edhe pse nuk kam njohuri të duhura për këtë sferë, kam bindjen se padia do të jetë e adresuar ndaj ministrit Murati, i cili dje para mediave deklaroi atë kërcenimin e tij dhe besoj që ekspertët do ta kenë këtë adresë. Pra, padia do të jetë drejtpërdrejt ndaj ministrit Murati, por iu mbetet ekspertëve të gjejnë adresën e saktë. Por, nga bisedat që kam dëgjuar me ta, padia do të jetë e orientuar pikërisht ndaj ministrit Murati. Ngase ishte një deklaratë paraprake përmes internetit, e një sekretari, të cilën e kemi konsideruar si moment emocional, por kur ministri i Buxhetit e thotë këtë para mediave, tregon se ai e ka sinqerisht dhe pavetëdije mbase, po e bën një gabim të madh duke u munduar të ngufasë të drejtën elementare të të punësuarve në sektorin publik dhe të grevistëve”, bëri të ditur ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media të hënën tha se ligji, por edhe praktikat dhe konventat ndërkombëtare nuk e obligojnë punëdhënësin t’i paguajë punëtorët për kohën sa janë në grevë. Ai shtoi se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) për pesë vjetët e fundit ka marrë nga anëtarësia mbi 3 milionë euro dhe duhet t’i paguajë vetë grevistët.