Mijëra punëtorë të sektorit publik të premten protestuan në sheshet e Prishtinës për të kërkuar nga Qeveria miratimin e Projektligjit për paga dhe ndarjen e shtesave prej 100 eurosh për çdo muaj për punëtorët e sektorit publik.
Organizatori i kësaj proteste, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka renditur një varg kërkesash ndaj Qeverisë së Kosovës. Në të kundërtën paralajmëruan veprime më të rënda sindikale.
Udhëheqësi i BSBK-së, Atdhe Hykolli, tha se protestat janë alarm që duan vëmendje, prandaj kërkoi nga Qeveria të hap derën e dialogut social.
“Presim punë e veprime dhe përmbushjen e premtimeve për të cilat i kemi zgjedhur. Prandaj, mos na shpërfillni dhe hapnani derën e dialogut social. Shqetësimet tona janë reale, janë të përbashkëta, janë shqetësime të cilat i njihni edhe ju. Kërkojmë hartimin si duhet, por jo të ngadalësuar e të tej zvarritur të Projektligjit për paga që tashmë duhej të ishte miratuar dhe kësisoj do të rregullonte sistemin e pagave ashtu si duhet por mospërfillja dhe shpërfillja nuk ju lënë… Prandaj jemi sot këtu që t’i themi se deri sa kjo të ndodhë ne duam dhe kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës për 100 euro për të gjithë punësuarit e Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
Ndërsa, Rrahman Jasharaj, kryetar SBAShK-ut, duke iu drejtuar kryeministrit Kurti, paralajmëroi greva të përgjithshme nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flasin punëtorët e Kosovës. Qeveri, këta janë njerëzit tuaj, këta i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve që po qëndrojnë në diell. Qeveri, ne po i lutemi Zotit që të këndelleni e t’i realizoni kërkesat që i lexoi Hykolli. Në të kundërtën pas kësaj proteste do të ketë veprime edhe më të rënda, të cilat ne nuk i duam por ju si duket po i doni”, theksoi Jashari.
Më tej Jasharaj theksoi se heshtja e qeverisë dhe ikja e tyre nga dialogu tregon se punëtorët kanë të drejtë.
“Heshtja e Qeverisë, ikja nga dialogu tregon se ata e dinë që ne kemi të drejtë, se kërkesat tona janë legjitime. Ne e duam Ligjin e pagave, por jo ligj që na e punon dikush por ligj që e punojmë edhe ne. Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Këta janë njerëz që edhe në vitet ’90-ta i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Dhe këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqërisë e shteti po tallet me ta. Prandaj ne jemi këtu ose do të bisedojmë, ose do të futemi në greva të përgjithshme”, theksoi ai.
Kërkesa të ngjashme paraqitën edhe Federata të sindikatave të BSPK-së.