Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë realizuar një aksion kontrolli në pikën kufitare në Jarinjë, ku kanë sekuestruar një shumë të konsiderueshme parash të padeklaruara.
Rasti ka ndodhur, rreth orës 13:00, gjatë një kontrolli të detajuar në një automjet të tipit Mercedes kombi me targa të Serbisë. Sipas njoftimit zyrtar, brenda automjetit janë gjetur mjete financiare të fshehura nën ulësen e pasme. Autoritetet kanë gjetur 9,300 euro si dhe 1,200,000 dinarë RSD, shuma këto të cilat në total kapin vlerën prej rreth 19,500 euro.
“Pkk Jarinje / 08.09.2025 – 13:00. Policia e Kosovës në bashkëpunim me doganën e Kosovës gjatë kontrollit në automjetin kombi Mercedes me targa të Serbisë, kanë gjetur mjete financiare të padeklaruara, të fshehura nën ulësen e prapme: 9,300 (nëntëmijë e treqind) bankënota euro si dhe 1,200,000 (njëmilion e dyqindmijë) dinarë RSD. Të gjitha mjetet monetare të padeklaruara në vlerë prej rreth 19,500 (nëntëmbëdhjetëmijë e pesëqind) Euro janë sekuestruar përkohësisht dhe i janë dorëzuar zyrtarëve Doganor për trajtim dhe procedim të mëtutjeshëm te rastit.” thuhet në njoftim./D.B/UBTNews