Japonia do të dërgojë 5,8 milionë dollarë ndihmë humanitare emergjente në Mianmar, ku janë paraqitur nevojat për ushqim dhe nevojat e përditshme pas grusht shtetit ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve të agjencisë Kyodo, duke cituar burimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndihma urgjente pas grushtit të shtetit do t’u dërgohet 136.000 personave që gjenden në kufirin e Tajlandës në juglindje të Mianmarit dhe të cilët përballen me uri.
Ndihma humanitare prej 5,8 milionë dollarësh do të dorëzohet përmes agjencive të Kombeve të Bashkuara (OKB) siç janë Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Duke folur në një konferencë shtypi, Ministri i Jashtëm japonez, Motegi Toshimitsu, tha se, “Qeveria e Japonisë qëndron pranë popullit të Mianmarit për sa i përket ndihmës dhe mbështetjes.”
Grusht shteti ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.
Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Punëve të Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.
Si rezultat i ndërhyrjes së armatosur të ushtrisë së Mianmarit kundër protestuesve anti-grusht shteti dhe grupeve rebele, 902 persona kanë humbur jetën dhe mijëra demonstrues janë arrestuar.
Teksa në vend vazhdojnë demonstratat në shkallë të gjerë, vazhdojnë gjykimet e zyrtarëve të lartë qeveritarë në gjykatat ushtarake.