Qeveria japoneze është goditur ekonomikisht nga një problem i pazakontë – të rinjtë e saj nuk po pinë mjaftueshëm!
Që nga fillimi i pandemisë, baret dhe ambientet e tjera që shesin alkool janë goditur rëndë nga kufizimet e Covid-19, duke bërë që shitjet – dhe të ardhurat nga taksat e pijeve – të bien në ekonominë e tretë më të madhe në botë.
Zgjidhja e qeverisë? Një konkurs për të gjetur mënyra për të inkurajuar të rinjtë të pinë më shumë!
Fushata “Sake Viva!”, e mbikëqyrur nga Agjencia Kombëtare e Taksave, ka ftuar pjesëmarrësit të paraqesin ide se si të “stimulojnë kërkesën tek të rinjtë” për alkool përmes shërbimeve të reja, metodave promovuese, produkteve, dizajneve dhe madje edhe teknikave të shitjes duke përdorur inteligjencën artificiale ose metaverse, sipas faqes zyrtare të konkursit.
“Tregu vendas i pijeve alkoolike po zvogëlohet për shkak të ndryshimeve demografike si: rënia e lindjeve dhe plakja e popullsisë, dhe ndryshimet e stilit të jetesës për shkak të ndikimit të Covid-19”, thuhej në deklaratën e konkursit.
Konkursi përfshin ide promovuese për të gjitha llojet e alkoolit japonez, me aplikime të hapura deri më 9 shtator. Finalistët do të ftohen në një konsultim ekspertësh në tetor, përpara një turneu final në nëntor në Tokio. Fituesi do të marrë mbështetje për planin e tij, sipas zyrës së taksave.
Por jo të gjithë janë pajtuar me idenë, duke marrë një varg kritikash nga shumë njerëz në internet.
“Po tallesh me mua? Të qëndrosh larg alkoolit është një gjë e mirë!” kishte shkruar një përdorues i Twitter.
Të tjerë vunë në dukje se dukej e papërshtatshme që një agjenci qeveritare të inkurajonte të rinjtë të pinin dhe dukej se fushata nuk kishte marrë parasysh rreziqet shëndetësore ose ndjeshmërinë ndaj njerëzve që merren me alkoolizmin.
Ministria e Shëndetësisë e Japonisë ka paralajmëruar në të kaluarën për rreziqet e pirjes së tepërt. Në një postim në faqen e saj të internetit vitin e kaluar, ajo e quajti konsumin e tepërt të alkoolit një “problem të madh social”. Gjithashtu, u bëri thirrje njerëzve me zakone jo të shëndetshme të pirjes që të “rishqyrtojnë” marrëdhënien e tyre me alkoolin./UBTNews/