Japonia sot bëri thirrje për lidhje “konstruktive dhe të qëndrueshme” me Kinën pasi të dy palët shënuan 50 vjet nga normalizimi i marrëdhënieve.
Nuk pati asnjë ceremoni të madhe diplomatike për të shënuar përvjetorin.
Në vend të kësaj, mesazhet nga kryeministri japonez Fumio Kishida dhe presidenti kinez Xi Jinping u lexuan në një ngjarje në Tokio të mbështetur nga qeveria dhe ambasada kineze dhe të organizuar nga lobi i fuqishëm i biznesit, Keidanren.
Në mesazhin e tij, Kishida, i cili nuk ishte i pranishëm në ngjarje, paralajmëroi se marrëdhëniet me Kinën, “ndonëse zotërojnë mundësi të ndryshme, përballen me shumë sfida dhe çështje”.
“Unë do të doja të ndërtoj marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme Japoni-Kinë për paqen dhe prosperitetin jo vetëm të dy kombeve tona, por edhe të rajonit dhe të botës”, tha ai.
Xi tha në mesazhin e tij se lidhjet kishin “rëndësi të madhe”, duke shtuar se ai ishte i gatshëm të punonte me Kishida-n për të përdorur përvjetorin si një “mundësi”.
Vendet duhet të “punojnë së bashku për të ndërtuar një marrëdhënie Kinë-Japoni që plotëson kërkesat e epokës së re”, shtoi ai.
Dy vendet janë partnerë kryesorë tregtarë dhe vetëm pak vite më parë dukeshin të gatshme për një lulëzim diplomatik, me plane për një vizitë shtetërore nga Xi.
Nga atëherë, lidhjet janë përkeqësuar ndjeshëm pasi Pekini ka forcuar ushtrinë e tij, projektuar fuqinë rajonale dhe më gjerë dhe ka marrë një linjë më të ashpër në territorin e diskutueshëm.
Në muajt e fundit, raketat kineze, sipas Japonisë, kanë rënë brenda zonës së saj ekskluzive ekonomike dhe Tokio ka protestuar ndaj asaj që i quan shkelje ajrore dhe detare në rritje.
Japonia gjithashtu ankohet rregullisht për aktivitetin kinez rreth ishujve Senkaku të kontrolluar nga Tokio, për të cilët Pekini pretendon se i zotëron dhe i quan Diaoyus.
Lufta në Ukrainë vetëm sa e ka thelluar ndarjen, me Japoninë që mbështet aleatët perëndimorë që kundërshtojnë pushtimin e Rusisë, ndërsa Pekini shmang kritikimin e Moskës./UBTNews/