UBT News

Japonia ka aprovuar edhe dy vaksina tjera antiCOVID

Japonia ka aprovuar edhe dy vaksina antiCOVID, kështu duke rritur shpresat se vendi do të përshpejtojë procesin e vaksinimit, meqë vetëm 4% e popullsisë 126 milionë banorëshe kanë marrë së paku një dozë.

Ministria e Shëndetësisë ua dha ‘dritën jeshile’ vaksinave AstraZeneca dhe Moderna të premten, tre muaj pasi ka aprovuar vaksinën Pfizer, vaksina e vetme që përdoret në Japoni.

Vaksina Moderna do të administrohet në qendrat e vaksinimit të qyteteve si Tokio, Osaka dhe qytete të tjera, që pritet të hapen nga e hëna, në përpjekje për të vaksinuar 36 milionë personat e moshës 65-vjeç dhe më të moshuar deri në fund të korrikut.

Por 15% e bashkive tjera kanë paralajmëruar se nuk ka gjasa ta përmbushin afatin, dhe kjo do të ishte një goditje tjetër për kryeministrin, Yoshihide Suga, i cili po përballet me kritika për mënyrën se si po i përgjigjet pandemisë.

Vaksina AstraZeneca nuk do të futet menjëherë në përdorim meqë autoritetet shëndetësore japoneze po i monitorojnë raportet se kjo vaksinë ka shkaktuar mpiksje të rrallë të gjakut në vendet tjera.

Japonia ka siguruar 50 milionë doza të vaksinës Moderna, 120 milionë doza nga AstraZeneca dhe 194 milionë nga Pfizer.

Aprovimi i këtyre vaksinave erdhi pasi Qeveria vendosi ta shtojë prefekturën e Okinawa-s në listën e rajoneve që do t’i nënshtrohen gjendjes emergjente./UBTNews

Exit mobile version