UBT News

Japonia i jep fund importeve ruse të qymyrit, dëbon diplomatët

Japonia tha të premten se do t’i japë fund importeve të qymyrit rus dhe njoftoi dëbimin e tetë diplomatëve të Moskës për shkak të “krimeve të luftës” në Ukrainë.

Masa vjen pasi aleatët e Ukrainës rrisin presionin ndaj Moskës pas akuzave se trupat ruse vranë civilë në zonat përreth Kievit.

“Trupat ruse kanë vrarë civilë dhe kanë sulmuar objektet bërthamore, duke shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar humanitar. Këto janë krime lufte që nuk mund të falen kurrë”, u tha gazetarëve kryeministri japonez, Fumio Kishida.

“Ne do të ndalojmë importet e qymyrit rus”, shtoi ai.

Japonia importon rreth 11 për qind të qymyrit të saj nga Rusia dhe karburanti mbetet një pikë kyçe e prodhimit të energjisë në vend.

Kishida tha se Japonia do të punonte për të ulur varësinë e saj nga importet e tjera të energjisë nga Rusia, të cilat përfshijnë naftën dhe gazin, por ai nuk dha një kornizë kohore specifike.

Më herët, Ministria e Jashtme e Japonisë njoftoi dëbimin e tetë diplomatëve rusë nga ambasada dhe zyra tregtare. Vendimi nuk prek ambasadorin rus, Mikhail Yurievich Galuzin.

Japonia ka marshuar në hap me aleatët perëndimorë për sanksionet kundër Rusisë dhe madje ka mirëpritur disa qindra ukrainas që ikin nga konflikti, pavarësisht se në përgjithësi pranojnë shumë pak refugjatë./UBTNews/

Exit mobile version