Japonia ka pezulluar një grup të vaksinave të kompanisë Moderna për Covid-19, pasi një substancë e huaj u gjet në to.
Një farmacist gjeti disa grimca të zeza në një shishe të vogël të vaksinës në prefekturën Kanagawa, sipas autoriteteve.
Rreth 3.790 persona tashmë janë vaksinuar me vaksinat e këtij grupi. Përdorimi i pjesës tjetër të dozave është pezulluar, shkruan BBC.
Ky veprim ndodhi vetëm një javë pasi Japonia e pezulloi përdorimin e rreth 1.63 milion dozave të vaksinave të kompanisë Moderna për shkak të kontaminimit.
Farmacisti i gjeti grimcat e zeza përderisa kontrollonte për substanca të huaja para se t’i përdorte vaksinat.
Kompania “Takeda Pharmaceutical”, e cila i shet dhe i shpërndan vaksinat në Japoni, javën e kaluar e pezulloi përdorimin e tri grupeve të vaksinave pas gjetjes së materialeve të huaja në disa doza.
Ndryshe, Japonia është duke u përballur me rritje të numrit të rasteve me Covid-19. Deri më tani, vetëm rreth 40 për qind e popullsisë japoneze është vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës.