UBT News

Japonia dërgon 2 avionë ushtarakë për evakuime të mundshme nga Lindja e Mesme

Japonia po dërgon dy avionë shtarakë në Afrikën Lindore për një operacion të mundshëm evakuimi të shtetasve të saj nga Lindja e Mesme, në mes të tensioneve në rritje mes Iranit dhe Izraelit, deklaroi të enjten ministri i Mbrojtjes, Gen Nakatani.

Dy avionët transportues C-2 të Forcave të Mbrojtjes Vetjake (SDF), me rreth 120 anëtarë ekuipazhi, do të fluturojnë drejt një baze të SDF-së në vendin e Bririt të Afrikës, Xhibuti, dhe do të qëndrojnë aty në gatishmëri, raportoi agjencia Kyodo News me bazë në Tokio.

Vendimi u mor pas një kërkese nga ministri i Jashtëm, Takeshi Iwaya.

Avionët pritet të nisen nga Japonia të shtunën, sipas Anadolu.

Situata në Lindjen e Mesme është bërë më e tensionuar pasi Izraeli dhe Irani vazhdojnë sulmet e ndërsjella,” tha Nakatani.

Ai theksoi se qeveria “është ende në fazën përgatitore për një transport të mundshëm” të shtetasve japonezë.

Ministria po përpiqet të konfirmojë se sa nga rreth 280 shtetasit japonezë në Iran dhe 1,000 në Izrael dëshirojnë të largohen nga këto vende.

Japonia po planifikon gjithashtu të evakuojë me autobus rreth 90 shtetas dhe anëtarë të familjeve të tyre nga kryeqyteti iranian Teheran drejt Azerbajxhanit fqinj, ndërsa po u ofron gjithashtu atyre që jetojnë në Izrael mundësinë e evakuimit me autobus drejt Jordanisë.

Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore mbi disa pika në Iran, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, duke nxitur përgjigje hakmarrëse nga Teherani.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur që nga ajo kohë nga sulmet me raketa iraniane. Ndërkohë, sipas mediave iraniane, në Iran janë vrarë 585 persona dhe më shumë se 1,300 janë plagosur nga sulmet izraelite.

Exit mobile version