Policia japoneze është në kërkim të një personi që dërgoi kërcënime me bombë dhe vdekje në qindra shkolla, duke shkaktuar mbyllje të nxituara.
Kërcënimet u dërguan me faks shkollave të mesme dhe universiteteve në fillim të kësaj jave nga një numër i regjistruar në Tokio.
Asnjë eksploziv nuk është gjetur në ndërtesat e shkollave, sipas policisë, dhe nuk ka pasur raportime për sulme ndaj nxënësve dhe stafit deri më tani.
Kërcënimet me bomba janë të rralla në Japoni, vend ky që njihet për shkallën e ulët të krimit.
Vala e parë e mesazheve filloi të hënën, duke mbërritur në shkolla dhe universitete në të gjithë vendin. Në një prefekturë, Saitama, më shumë se 170 shkolla morën kërcënime me bomba, thanë zyrtarët.
Të martën, mesazhe që kërcënonin se do të vrisnin nxënës dhe mësues me armë të bëra vetë u dërguan nga i njëjti numër në shkollat e mesme në prefektura të ndryshme.
Kërcënimet bënë që shumë shkolla në Japoni të mbylleshin si masë paraprake, megjithëse shumica ishin rihapur deri të enjten.
Makinat e faksit përdoren ende zakonisht në Japoni./UBTNews/