Të hënën, parlamenti i Japonisë kaloi një legjislacion përmes së cilit “sulmet online” bëhen të dënueshme me burg. Ky vendim erdhi pas shqetësimeve në rritje të publikut rreth sigurisë publike që u pasua me vetëvrasjen e yllit televiziv, Hana Kimura, e cila u përball me abuzim në rrjete sociale.
Sipas amandamentit të ri të kodit penal – i cili pritet të hyjë në fuqi këtë verë – ofenduesit mund të dënohen me burg deri në një vit apo me gjobë prej 2 mijë e 200 dollarësh.
Projektligji ngjalli reagime. Ata që janë kundër projektligjit argumentojnë se projektligji mund të pengojë lirinë e shprehjes dhe kritikat ndaj atyre në pushtet. Megjithatë, mbështetësit thonë se legjislacioni është i nevojshëm për t’i dhënë fund ngacmimeve në internet.
Sipas kodit penal të Japonisë, fyerjet përkufizohen si nënçmim publik i pozitës shoqërore të dikujt pa iu referuar fakteve specifike rreth tyre ose një veprimi specifik, sipas një zëdhënësi nga Ministria e Drejtësisë. Krimi është i ndryshëm nga shpifja, i përcaktuar si nënçmim publik i dikujt duke treguar fakte specifike. Të dyja dënohen sipas ligjit.
Vdekja e Hana Kamura-s
Çështja e ngacmimeve online po trajtohet më seriozisht vitet e fundit. Thirrjet për ligje kundër ngacmimit kibernetik po bëhen edhe më shumë pas vdekjes së yllit televiziv, Hana Kimura. Në vitin 2020, ylli Kimura, që u bë e njohur me rolin e saj në shfaqjen e njohur të Netflix, “Terrace House”, kreu vetëvrasje.
Lajmi shkaktoi pikëllim dhe tronditje mbarëkombëtare. U raportua se ajo u përball me abuzim nga përdoruesit e rrjeteve sociale disa muaj para vdekjes së saj.
Menjëherë pas vdekjes së saj, zyrtarët e lartë japonezë trajtuan rrezikun e ngacmimit kibernetik dhe u zotuan se do të përshpejtojnë diskutimet e qeverisë për legjislacionin përkatës./UBTNews/