UBT News

Japoni: Dëmshpërblehen 13 gra pasi u diskriminuan në provim

Një shkollë e mjekësisë në Japoni u detyrua t’iu paguajë dëmshpërblim 13 grave për shkak se ato u diskriminuan në provimet pranuese.

Universiteti Juntendo në Tokio vendosi kritere më të ashpra për studentet femra, sepse u tha se gratë kanë aftësi më të mira komunikimi se burrat dhe kishin përparësi në intervista.

Gjykata vendosi se kriteret ishin diskriminuese, raportojnë mediat lokale. Besohet se ky është vendimi i parë i këtij lloji në Japoni.

Hetimi i këtij rasti erdhi pas atij të vitit 2018, ku një institucion tjetër, Universiteti Mjekësor i Tokios, u zbulua se ka ngatërruar rezultatet e aplikanteve femra që nga viti 2006. Sipas hetimit, një numër shkollash mjekësore japoneze kanë manipuluar me procesin e pranimit të studentëve, kryesisht për të përjashtuar studentet femra.

Atë kohë, mediat lokale raportuan se kjo ishte bërë pjesërisht sepse disa administratorë universiteti kanë thënë se mendonin që gratë do të largoheshin nga profesioni i mjekësisë, ose do të punonin më pak orë, pasi të martoheshin dhe të kishin fëmijë.

Nga Universiteti Juntendo pranuan se veprimet e tyre çuan në mospranimin e dhjetëra grave.

Institucioni privat u urdhërua të paguajë rreth tetë milionë jen (62 mijë dollarë) në kompensim për gratë pasi gjykata vendosi se gratë janë përballur me shqetësime emocionale si rezultat i politikave “irracionale dhe diskriminuese” të universitetit, citon Kyodo News.

13 femrat e shpërblyera shkuan në provime pranuese të universitetit mes viteve 2011 dhe 2018, por nuk u pranuan, raporton Kyodo News. Dy nga gratë do të kishin kaluar provimin e parë pranues nëse rezultatet nuk do të ishin manipuluar, shtoi ai./UBTNews/

Exit mobile version