UBT News

Japoni: 24-vjeçari i veshur si personazhi Joker plagos 17 persona në tren

Një burrë 24-vjeçar i veshur si personazhi Joker sulmoi pasagjerët në një linjë treni në Tokio të dielën në mbrëmje, transmeton UBT News.

Rreth 17 persona u plagosën teksa po shkonin për festat e Halloween në qytet.

“Mendova se ishte një trik Halloween-i”, tha një dëshmitar për gazetën Yomiuri. “Pastaj, pashë një burrë që ecte në këtë rrugë, duke tundur ngadalë një thikë të gjatë”.

Sulmi ndodhi rreth orës 20:00 me orën lokale pranë stacionit Kokuryo dhe dëshmitarët okularë thanë se i dyshuari kishte veshur kostumin e personazhit Joker.

Mediat raportojnë se burri është arrestuar nga policia në vend.

Sipas gazetës Kyodo, ai i tha policisë se e adhuronte personazhin Joker në komiket e Batman.

Filmi hit i vitit 2019, “Joker”, me aktorin Joaquin Phoenix shfaqi një skenë të dhunshme ku ai sulmon disa burra në një tren pasi u ngacmua vazhdimisht prej tyre. Është një skenë kryesore, që shënon fillimin e transformimit të personazhit në Xhoker.

Raportet e mediave lokale thonë se i dyshuari u tha autoriteteve se donte të vriste njerëz në mënyrë që të dënohej me vdekje.

Agjencia e lajmeve AP, duke cituar Departamentin e Zjarrfikësve të Tokios, tha se tre nga të plagosurit kishin plagë të rënda. Sipas mediave lokale, një i moshuar ka mbetur pa ndjenja nga sulmi.

“Dyert e trenit ishin të mbyllura dhe ne nuk e kishim idenë se çfarë po ndodhte dhe u hodhëm nga dritaret”, tha një nga dëshmitarët.

Krimi i dhunshëm është i rrallë në Japoni, por ka pasur një numër sulmesh me thikë të profilit të lartë në vitet e fundit./UBTNews/

Exit mobile version