Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd thotë se pas vitit 2014, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar me ritëm të çuditshëm, ku ka pasur ndërprerje dhe rinisje të vazhdueshme.
Sipas tij, është mjaft legjitime të shtrohet pyetja se a duhet ringjallur dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve apo duhet nisur një proces të një forme tjetër. Por, zgjidhja e dytë sipas tij do të paraqiste humbje për Bashkimin Evropian. Aktualisht, siç thotë ai, ekziston faza kur po krijohet një lloj iluzioni se po punohet diçka lidhur me dialogun dhe një marrëveshje përfundimtare. Në funksion të kësaj, siç thekson Janjiq, janë edhe të dy dokumentet e pretenduara si “non-paper”, të cilat, siç vlerëson ai, vijnë nga qarqe tepër të kontrolluara dhe fundja, të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe që shërbejnë që të tregohet se kinse po punohet diçka. Por, sipas tij, dialog serioz nuk pritet të ketë së shpejti.
“Bindjen që ma forcojnë lidhur me këtë vlerësim, janë pikërisht çështjet më të rëndësishme, statusi dhe kufijtë, të cilat janë sforcuar përmes ‘non-paperave’ dhe ofertohen dy zgjidhje të ndryshme, por me bazë nga qarqet e ndërlidhura. Kështu që kjo është propagandë. ‘Non-paperi’ i dytë është i orientuar më afër idesë së normalizimit. Ndërkaq, ‘non-paperi’ i parë, i ashtuquajtur i Janshës, oferton braktisjen e kornizës për normalizimin e marrëdhënieve. Nga kjo ne vijmë në përfundim se ende nuk ekziston pajtimi as në Bashkimin Evropian dhe gjithashtu nuk ekziston një zë i përbashkët i Uashingtonit dhe Brukselit. Pa këtë, nuk ka dialog të suksesshëm”, theksoi Janjiq për RFE.
Ai ka shtuar se, aktualisht, është herët të shihet nëse Qeveria e Kosovës është e qëndrueshme dhe këtë do ta verifikojnë zgjedhjet lokale në Kosovë, në vjeshtën e këtij viti.
Ndërkaq, sipas tij, tashmë ekzistojnë sinjale që Beogradi është në përgatitje e sipër për referendumin për ndryshimin e Kushtetutës, si dhe për zgjedhje parlamentare. Në këtë situatë, sipas Janjiq, vështirë se mund të ketë dialog serioz ndërmjet palëve, para majit të vitit të ardhshëm.
Përpjekjet për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë intensifikuar.
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka deklaruar se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.