Teleskopi hapësinor ”James Webb”, i lëshuar në dhjetor, ka rreshtuar dhe testuar me sukses 18 segmentet e tij të pasqyrës.
”Ekipi përgjegjës tani pret që teleskopi të funksionojë siç synohet ose edhe më mirë”, deklaroi agjencia hapësinore amerikane, NASA.
“Pas përfundimit të hapave kritikë të shtrirjes së pasqyrës, ekipi i teleskopit hapësinor ‘James Webb’ të NASA-s pret që performanca optike e ‘Webb’-it të jetë në gjendje të përmbushë ose tejkalojë objektivat shkencorë për të cilët u ndërtua observatori”, thuhet në një deklaratë.
Megjithatë, përpara se teleskopi të fillojë të funksionojë rregullisht, kërkohet punë e mëtejshme përgatitore, e cila duhet të zgjasë edhe disa muaj.
Teleskopi kishte dërguar tashmë imazhet e tij të para në Tokë në shkurt, duke përfshirë fotot e një ylli.
Imazhet, të cilat ishin ende disi të paqarta, kishin për qëllim të demonstronin se kamera dhe 18 segmentet e pasqyrës së teleskopit po funksiononin në mënyrë thelbësore. Tani studiuesit kanë bashkuar fotot e ndryshme të një ylli të vetëm për të formuar një imazh.
”James Webb” u nis në hapësirë më 25 dhjetor nga porti hapësinor evropian i Kourousë, në Guajanën Franceze.
Në janar, ”James Webb” arriti në orbitën e tij të destinacionit.