I përmbysur në një lum në Irakun jugor, rrënojat e ndryshkura të një jahti që i përkiste Sadam Huseinit përkujtojnë sundimin e tij të hekurt që përfundoi me pushtim nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dy dekada më parë.
Jahti 121 metërsh, i njohur me emrin “al-Mansur”, ishte simbol i pasurisë dhe fuqisë së Sadamit kur u ndërtua në vitet 1980. Aktualisht shërben si destinacion për vizitorët dhe peshkatarët që ngjiten në bord dhe pinë çaj.
“Kur ishte nën pronësi të ish-presidentit, askush s’mund t’i afrohej”, tha peshkatari Hussein Sabahi.
“Nuk mund ta besoj se ky i takonte Sadamit dhe tani unë po lëviz përreth tij”, shtoi ai.
Ish-presidenti dha urdhër që jahti të qëndronte në Umm Qasr në Basra për t’u ruajtur disa javë, pas nisjes së pushtimit më 20 mars të vitit 2003.
Ky është një nga tri jahtet në pronësi të Sadamit. Ai mund të strehonte deri në 200 të ftuar dhe ishte i pajisur me një platformë helikopterike./UBTNews/