UBT News

Ja pse Selena Gomez zhduket herë pas here nga interneti

Selena Gomez ishte organizatore e galës së tretë vjetore të bamirësisë së Rare Impact Fund, një event që kishte në qendër shëndetin mendor – kauzën më të rëndësishme për këngëtaren dhe aktoren.

Në fjalën e saj, ajo theksoi rëndësinë e pushimeve nga mediat sociale, duke theksuar ndikimin që ato kanë në mirëqenien emocionale.

Eventi u mbajt në Los Angeles, në mbështetje të fondacionit që Gomez themeloi në vitin 2020 me qëllimin për të mbledhur 100 milionë dollarë për organizata që zgjerojnë aksesin global në shërbimet dhe arsimin mbi shëndetin mendor për të rinjtë.

Mbrëmjen e moderoi Jimmy Kimmel, ndërsa performuan Laufey dhe The Marías. Në hapje të aktivitetit, Gomez tha se, edhe pse ka folur hapur për përvojën e saj me shëndetin mendor prej vitesh, “kjo mbetet ende një temë e vështirë dhe e pazakontë për shumë njerëz”.

“Sonte do të tregojmë se progresi është i mundur,” – theksoi ajo.

Ajo u shpreh krenare për punën e bërë përmes organizatës: “Asgjë nuk më ka bërë më krenare sesa ajo që kemi arritur me këtë fond. Jetojmë në një kohë kur presioni, sidomos tek të rinjtë, është më i madh se kurrë. Nga ngacmimi në internet deri te vetëvrasja, shëndeti mendor nuk është çështje dytësore – është themeli i gjithçkaje: kreativitetit, lidhjes, të nxënit, sigurisë dhe shpresës. Kur të rinjtë kërkojnë ndihmë, ata duhet ta dinë se ndihma ekziston.”

Në një intervistë për The Hollywood Reporter, Gomez foli më gjerësisht për ndikimin e mediave sociale: “Mendoj se është e rëndësishme të bësh pushime prej tyre. Edhe një ditë, madje edhe një orë larg, mund të bëjë ndryshim. E di që ndonjëherë duket sikur gjithë bota ndodhet në ekranin e telefonit, por në fakt ka një botë të tërë jashtë që ia vlen ta përjetosh.” /A.Z/UBT News/

 

Exit mobile version