Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gjashtë në dhjetë njerëz i marrin smartfonët e tyre në tualet. Ky zakon, megjithatë, mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.
Studimi i kryer nga NordVPN, tha se 61.6 për qind e pjesëmarrësve në studim thanë se i marrin telefonat në tualet për të përdorur platformat e mediave sociale si Facebook, Twitter dhe Instagram. Ndërsa 33.9 për qind e të anketuarve kanë pranuar se përdorin telefonat inteligjentë në tualet për t’u përditësuar me çështjet aktuale.
Në studim, 24.5 për qind e pjesëmarrësve pranuan se përdorin telefonin në tualet për të dërguar mesazhe apo edhe për të telefonuar.
Në një bisedë me Yahoo Life UK, Dr. Hugh Hayden, një specialist i kontrollit të infeksionit, tha se telefonat inteligjentë mund të nxisin deri në dhjetë herë më shumë mikrobe sesa ndenjëset e tualetit. Ekranet me prekje, tha ai, janë ‘mushkonja e epokës dixhitale’ pasi ato mund të bartin sëmundje infektive.
“Kur prekim sipërfaqet e përbashkëta, pastaj përdorim ekranin e smartfonit tonë, ekziston rreziku i kontaminimit të kryqëzuar, dhe vetë telefoni bëhet burim infeksioni”, tha Dr Hayden.
Sipas raportit, mikrobet mund të mbijetojnë në ekranin e një smartphone deri në 28 ditë. Kjo mund t’i kthejë telefonat në një terren të mundshëm për rritjen e mikrobeve dhe patogjenëve.
Përdorimi i telefonave inteligjentë në tualet dyfishon shanset që telefoni inteligjent të infektohet me mikrobe dhe patogjenë. Prandaj, këshillohet që të shmangni marrjen e celularëve në tualet./UBTNews/