Frika rreth teknologjive dhe mjeteve të fuqizuara nga inteligjenca artificiale që marrin përsipër punën e kryer aktualisht nga njerëzit janë intensifikuar që kur ChatGPT u përhap në fund të vitit të kaluar.
Potenciali i Inteligjencës Artificiale është bërë gjithnjë e më i përhapur te njerëzit. Në fushën e burimeve njerëzore kjo ka ngjallur shumë debate se si teknologjia mund të ndikojë në karrierën e njerëzve. Derisa ekspertët thonë se Inteligjenca Artificiale padyshim do të ketë një ndikim në punë dhe të paktën pjesërisht do t’i automatizojë ato, ata gjithashtu theksojnë se përparimet teknologjike shpesh krijojnë pozita të reja nga të cilat punonjësit mund të fitojnë shumë. Nëse bazohemi në këtë atëherë është ende e paqartë se a duhet të jenë të shqetësuar punëtorët. Dhe zhvillimet teknologjike si rritja e Inteligjencës Artificiale mund të mos jetë as faktori më i madh për zhdukjen e vendeve të punës në të ardhmen, sipas një raporti të ri të HSBC.
Duke përdorur të dhënat nga “Raporti i Punës 2023” i Forumit Ekonomik Botëror, HSBC theksohet se vetëm katër tendenca makroekonomike pritet të çojnë në zhvendosjen e vendeve të punës. Faktori më i zakonshëm që kompanitë do të reduktojnë vendet e punës është rritja më e ngadaltë ekonomike. Realisht, vetëm muajin e kaluar Banka Botërore tha se priste që ekonomia globale të rritet me një ritëm shumë më të ngadaltë krahasuar me një vit më parë me 2.1% pritet të jetë rritja për vitin 2023 në krahasim me 3.1% vitin e kaluar.
“Sfidat janë të qarta – rritja më e dobët ekonomike dhe mungesa e përgjithshme në ofertë ose kërkesë do të thotë që shumë kompani presin të operojnë me më pak punëtorë”, thanë në raport analistët në HSBC.
“Por është e rëndësishme të mbani mend se jo të gjitha ndryshimet në ekonomi pritet të nënkuptojnë më pak punëtorë,” shtoi ai. Për shembull, kompanitë presin që tranzicioni i gjelbër dhe përdorimi i standardeve Mjedisore, Sociale dhe Qeverisëse (ESG) të çojë në më shumë vende pune.
Ndikimi i teknologjisë në punë
“Rritja e adoptimit të teknologjive të reja” është një tjetër model që kompanitë presin të çojë në krijimin e vendeve të punës – dhe IA është pjesë e kësaj. Një pjesë neto prej mbi 20% e kompanive presin që Inteligjenca Artificiale të shtojë vende pune në vend që t’i zëvendësojë ato, sipas të dhënave të Forumit Ekonomik Botëror.
“Ndërsa AI merr pjesën më të madhe të vëmendjes në ditët e sotme, ia vlen të merret parasysh plotësisht ndikimi që një gamë e gjerë teknologjish mund të ketë në tregun e punës,” tha HSBC.
Sidomos kur bëhet fjalë për teknologjinë, efekti i zhvillimeve të reja mund të jetë gjithashtu më i gjerë se punët që thjesht zëvendësohen.
“Çështja është nëse mund të kemi punëtorë të mjaftueshëm dhe aftësitë e duhura të punëtorëve për të plotësuar këto nevoja të reja,” shtoi HSBC.
Krahas rritjes më të ngadaltë ekonomike që çon në humbjen e vendeve të punës, HSBC identifikoi mungesat e furnizimit dhe kostot në rritje për bizneset, rritjen e kostos së jetesës për konsumatorët dhe ndikimet e vazhdueshme të pandemisë së koronavirusit.
Të dhënat vijnë pasi inflacioni si në nivelin e konsumatorit ashtu edhe në atë të shitjes me shumicë mbetet i lartë në shumë vende të botës, pavarësisht nga disa indikacione se presionet nga rritja e çmimeve mund të jenë duke u lehtësuar. /AkademiPune