Ushtria e Izraelit ka pretenduar se ka eliminuar një komandant të njësisë së inxhinierisë së Hezbollahut.
Në një postim në platformën “X”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë bërë të ditur se javën e kaluar kanë goditur dhe kanë vrarë Abed Harb, të cilin e cilësojnë si pjesëtar të lartë të grupit.
Sipas IDF-së, Harb ka udhëhequr njësinë e inxhinierisë përgjegjëse për montimin dhe vendosjen e eksplozivëve, të cilët, sipas pretendimeve të ushtrisë izraelite, janë përdorur për të synuar ushtarët izraelitë në jug të Libanit.
“Harb ka qenë përgjegjës për disa sulme që nga viti 2006”, thuhet në deklaratën e IDF-së.
Po ashtu, ushtria izraelite ka njoftuar se Forcat Ajrore të saj kanë shkatërruar edhe një lëshues raketash që, sipas tyre, është përdorur nga Hezbollahu për sulme ndaj forcave izraelite që veprojnë në jug të Libanit.
Ngjarja vjen në një kohë kur raportimet ndërkombëtare bëjnë të ditur për tensione të vazhdueshme në rajon, ndërsa Hezbollahu së fundi ka refuzuar një propozim për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mes Libanit dhe Izraelit.
