UBT News

Izraeli thotë se ‘takimi historik’ mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre arabë do të ‘frenojë’ Iranin

Diplomatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara dhe katër vendeve arabe u mblodhën në Izrael këtë të hënë.

“Kjo arkitekturë e re – aftësitë e përbashkëta që po ndërtojmë – frikëson dhe frenon armiqtë tanë të përbashkët, para së gjithash Iranin dhe përfaqësuesit e tij”, tha Ministri i Jashtëm Yair Lapid së bashku me homologët e tij nga SHBA, Emiratet, Bahranit, Maroku dhe Egjipti.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan e quajti mbledhjen “historike”.

“Ajo që ne po përpiqemi të arrijmë këtu është ndryshimi i narrativës, krijimi i një të ardhmeje tjetër”, u tha ai gazetarëve pas bisedimeve.

Izraeli dhe disa vende arabe shqetësohen se një marrëveshje bërthamore me Iranin do t’i lërë fuqisë persiane mjetet për të ndërtuar një bombë dhe për të forcuar guerilët e mbështetur nga Teherani.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera botërore e shohin rivendosjen e një marrëveshjeje bërthamore iraniane të vitit 2015 si opsionin e tyre më të mirë. Por Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken u ofroi aleatëve rajonalë të Uashingtonit siguri në rast se diplomacia dështonte.

“Si fqinjë dhe, në rastin e Shteteve të Bashkuara, si miq, ne gjithashtu do të punojmë së bashku për t’u përballur me sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta të sigurisë, duke përfshirë ato nga Irani dhe përfaqësuesit e tij” tha ai.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku normalizuan lidhjet me Izraelin sipas një nisme të vitit 2020 të SHBA-së të njohur si Marrëveshja e Abrahamit. Egjipti në vitin 1979 u bë shteti i parë arab që bëri paqe me Izraelin.

Ndërsa përshëndeti marrëveshjet, Blinken shtoi, “Duhet të jemi të qartë se këto marrëveshje rajonale të paqes nuk janë një zëvendësim për përparimin midis palestinezëve dhe izraelitëve”.

Ashtu si vendet arabe të pranishme, Shtetet e Bashkuara duan një zgjidhje me dy shtete ku palestinezët do të fitonin shtetësinë së bashku me Izraelin. Bisedimet për këtë qëllim ngecën në vitin 2014.

Ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif Al Zayani i përshkroi diskutimet si të dobishme për të shmangur grupet e mbështetura nga Irani, si Hezbollahu. “Sigurisht, pjesë e këtij procesi do të jenë përpjekjet e rinovuara për zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit”, shtoi ai./UBTNews/

Exit mobile version