Këshilltari i sigurisë kombëtare i Izraelit thotë se lufta e vazhdueshme në Gaza mund të zgjasë deri në fund të vitit.
Në një intervistë për transmetuesin publik izraelit Kan, të mërkurën Tzachi Hanegbi tha se “ne presim edhe shtatë muaj të tjerë luftë” për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit dhe grupit më të vogël të Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ).
Deklaratat e tij erdhën pasi Izraeli po izolohet çdoherë e më shumë në skenën botërore. Hanegbi mbrojti operacionet e vazhdueshme të Izraelit në Rafah, në kufirin e Gazës me Egjiptin, duke thënë se kufiri është bërë një “mbretëri kontrabande” që nga viti 2007, kur Hamasi filloi të qeverisë Gazën.
“Çdo raketë, çdo mjet shpërthyes, çdo e shtënë ndaj Izraelit është për shkak se ai kufi është thyer”, tha ai.
Të mërkurën mbrëma, një zëdhënës ushtarak i Izraelit tha se ushtria ka marrë “kontrollin operacional” mbi korridorin e ngushtë të aksit të Filadelfisë, një zonë tampon midis Egjiptit dhe Gazës që u krijua si pjesë e traktatit të paqes të vitit 1979 midis Izraelit dhe Egjiptit./UBTNews/