UBT News

Izraeli thotë se ka sulmuar një objekt për prodhimin e centrifugave në Iran

Për të gjashtën ditë me radhë, Izraeli dhe Irani kanë vazhduar sulmet ndaj njëri-tjetrit, disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kërkoi Republikës Islamike “dorëzim pa kushte”.

Aeroplanët ushtarakë izraelitë goditën kryeqytetin iranian pak para agimit të mërkurën, pasi ushtria lëshoi paralajmërime që civilët të largoheshin nga një qark i Teheranit.

Më pas, ushtria izraelite tha se ka goditur objekte për prodhimin e armëve dhe një qendër që përdoret për të prodhuar centrifuga në Teheran.

Më shumë se 50 aeroplanë ushtarakë izraelitë kanë kryer një sërë sulmesh në zonën e Teheranit në orët e fundit. Si pjesë e përpjekjes më të gjerë për të ndërprerë programin e Teheranit për zhvillimin e armëve bërthamore, një ndërtesë për prodhimin e centrifugave në Teheran është shënjestruar”, u tha në deklaratë.

Centrifugat janë makina që përdoren për pasurimin e uraniumit, përkatësisht, ato shërbejnë për të ndarë izotopet e uraniumit, kryesisht për të rritur përqindjen e uraniumit-235, i cili, nëse arrin nivel të lartë të pastërtisë, mund të përdoret për armë bërthamore.

Gjatë valës së sulmeve, disa ndërtesa për prodhimin e armëve janë goditur, përfshirë ndërtesa për prodhimin e lëndëve të para dhe komponentëve që përdoren për montimin e raketave tokë-tokë”, shtoi ushtria izraelite.

Ndërkaq, mëngjesin e 18 qershorit, Irani tha se ka sulmuar me raketa hipersonike Izraelin. Teherani u kërkoi banorëve të Tel Avivit që të përgatiten për një sulm, ndërsa Garda Revolucionare Islamike pretendoi se ka përdorur raketat hipersonike Fattah-1 për të sulmuar strehimore dhe një qendër tregtare.

Vala e 11-të e operacionit tonë ‘Premtimi i Sinqertë 3’ duke përdorur raketa Fattah-1” u realizua, tha Garda Revolucionare përmes një njoftimi që u transmetua në televizionin shtetëror iranian.

Raketat hipersonike fluturojnë pesë herë më shpejt se shpejtësia e zërit dhe mund të manovrojnë gjatë fluturimit, duke i bërë më të vështira për t’u gjurmuar dhe për t’u rrëzuar.

Republika Islamike gjithashtu tha se ka lëshuar dronë drejt Izraelit. Sipas ushtrisë izraelite, dy prej dronëve janë rrëzuar mbi zonën e Detit të Vdekur.

Fuqitë perëndimore po përpiqen që të shmangin që ky konflikt të shndërrohet në një luftë rajonale.

Të martën mbrëma, në biseda të ndara telefonike me homologun e tij iranian dhe me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.

Presidenti amerikan, Donald Trump, një ditë më parë kërkoi nga Republika Islamike që të “dorëzohet pa kushte”.

Ai gjithashtu tha se SHBA-ja me lehtësi mund të vrasë udhëheqësin suprem të Iranit.

Ne e dimë saktësisht se ku po fshihet i ashtuquajturi ‘lider suprem’. Ai është një cak i lehtë, por është i sigurt aty ku është. Ne nuk do ta vrasim, të paktën tani për tani”, shkroi ai në platformën Truth Social.

Më pas, ai u takua me Këshillin Amerikan të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për konfliktin. Por, pas takimit nuk pati ndonjë deklaratë publike.

Izraeli e nisi fushatën ajrore ndaj Iranit më 13 qershor, duke argumentuar se sulmet ndaj udhëheqësve ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë iranianë, qendrave për pasurim të uraniumit dhe programit të raketave balistike janë të domosdoshme për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.

Irani pretendon se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, duke thënë se nuk dëshiron të zhvillojë armë bërthamore.

Si pasojë e sulmeve, në Iran janë vrarë të paktën 224 persona, ndërsa në Izrael është raportuar për 24 të vrarë./REL/

Exit mobile version