UBT News

Izraeli sulmon Rripin e Gazës, disa shtëpi në Rafah përshihen nga zjarri

Disa shtëpi janë përfshirë nga zjarri për shkak të sulmeve që ushtria izraelite ka kryer në qendrën e qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit.

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, ushtria izraelite hapi zjarr intensiv ndaj shtëpive pranë kryqëzimit Awda në qendër të qytetit Rafah me tanket dhe mjetet ajrore pa pilot (dronë) të pozicionuara në Korridorin Filadelfi, brezi kufitar midis Egjiptit dhe Gazës. Si pasojë e sulmeve disa shtëpi kanë marrë flakë.

Ushtarët izraelitë gjithashtu hapën zjarr edhe ndaj palestinezëve në pjesët lindore të qytetit. Nuk u dha asnjë informacion nëse ka pasur të vrarë apo të plagosur në të dy sulmet. Marrëveshja e armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve e arritur mes Hamasit dhe Izraelit hyri në fuqi të dielën, më 19 janar.

Shefi i zyrës për media të qeverisë në Gaza, Salama Marouf në një deklaratë më 21 shkurt tha se Izraeli ka vrarë 100 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 820 të tjerë në periudhën për më shumë se një muaj që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes së armëpushimit.

Ai shtoi se ushtria izraelite kreu më shumë se 350 shkelje dhe se më e rëndësishmja prej tyre ishte pengimi i dispozitave të protokollit humanitar.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës nga 7 tetori 2023 deri në marrëveshjen e armëpushimit, kanë humbur jetën 48.338 palestinezë, përfshirë rreth 17.881 fëmijë dhe 12.316 gra ndërsa janë plagosur 111.753 njerëz.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa është shkatërruar edhe infrastruktura civile duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku janë strehuar njerëzit.

Exit mobile version