Sulmet ajrore izraelite në Bejrut dhe në jug të Libanit kanë shkaktuar 31 viktima dhe 149 të plagosur, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Sipas autoriteteve, bilanci i viktimave është paraprak.
Zhvillimet e fundit shënojnë hapjen e një fronti të ri në konfliktin që po përhapet në Lindjen e Mesme.
Mbrëmjen e kaluar, Hezbollah, grupi militant shiit libanez i mbështetur nga Irani, lëshoi raketa drejt qytetit izraelit Haifa. Në përgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë ajrore në shkallë të gjerë.
Sulmet shënjestruan bastionet e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe zona pranë aeroportit të qytetit. Ndërkohë, në jug të Libanit, Izraeli u ka bërë thirrje banorëve të më shumë se 50 fshatrave që të evakuohen, ndërsa sulmet në ato zona vazhdojnë.
Hezbollahu konsiderohet i dobësuar pas goditjeve të marra nga Izraeli në luftën e zhvilluar 18 muaj më parë. Megjithatë, për shkak të lidhjeve të forta ideologjike, fetare dhe financiare me Iranin, përfshirja e tij në këtë konflikt është parë si e pashmangshme, në një situatë ku tashmë pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira. /Euronews/
