Ushtria izraelite tha më 31 janar se ka sulmuar “disa” caqe të Hezbollahut në Luginën Beka të Libanit, dy muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit me grupin libanez, me të cilin zhvilloi luftime vitin e kaluar.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.
“Caqet që u sulmuan përfshijnë një ndërtesë të Hezbollahut që ka infrastrukturë nëntokësore e cila përdoret për të zhvilluar dhe prodhuar armatim dhe infrastruktura të tjera terroriste në kufirin Siri-Liban që përdoren nga Hezbollahu për të kontrabanduar armë në Liban”, tha ushtria izraelite përmes një deklarate.
Në njoftim u tha se sulmet e kryera gjatë natës shënjestruan caqet “që paraqisnin rrezik” për Izraelin dhe trupat izraelite.
Një ditë më herët, ushtria izraelite tha se kishte rrëzuar një dron vëzhgues të Hezbollahut i cili po i afrohej territorit izraelit. Sipas ushtrisë, kjo paraqet “shkelje të armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit”.
“Ushtria vazhdon të jetë e përkushtuar në armëpushimin mes Izraelit dhe Libanit dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet terrorist të këtij lloji”, tha Izraeli.
Ushtria izraelite nuk ka respektuar afatin e tërheqjes së plotë nga Libani që ishte deri më 26 janar. Tani, afati për tërheqjen e ushtrisë izraelite është 18 shkurti.
Megjithatë, Izraeli e kishte bërë të qartë se nuk synonte të përmbushte afatin e 26 janarit, duke akuzuar ushtrinë libaneze se nuk kishte respektuar pjesën e saj të marrëveshjes.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, që hyri në fuqi më 27 nëntor 2024, ushtria libaneze do të dislokohet në jug, teksa Hezbollahu do të tërheqë forcat në veri të lumit Litani, rreth 30 kilometra larg nga kufiri.
Grupi libanez, që mbështetet nga Irani, po ashtu duhet të shkatërrojë çdo infrastrukturë ushtarake që ka në jug të Libanit.
Hezbollahu dhe Izraeli fillimisht kishin këmbyer zjarr në vijën kufitare, pas nisjes së luftës në Gazë në tetor të vitit 2023 mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Luftimet më pas u përshkallëzuan në tetor të vitit të kaluar, kur Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban.
Gjatë luftimeve, Izraeli vrau pothuajse gjithë udhëheqjen e Hezbollahut, përfshirë udhëheqësin e kamotshëm të grupit, Hassan Nasrallahun, dhe shkatërroi arsenalin ushtarak të grupit./REL/