UBT News

Izraeli pritet të marrë pjesë normalisht në Eurovision 2026

Pas vizitës së drejtorit të përgjithshëm të radiotelevizionit publik austriak, Roland Weissmann, në Jerusalem ku u takua me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, dhe me drejtorin e transmetuesit publik izraelit KAN, Golan Yochpaz – mediat izraelite dhe austriake raportojnë se mundësia që Izraeli të përjashtohet nga Eurovision 2026 tashmë është e eliminuar.

Më pak se një muaj para Asamblesë së Përgjithshme të EBU-së në Gjenevë, pritet të jepet vendimi zyrtar për pjesëmarrjen e Izraelit në edicionin e 70-të të Eurovisionit. Të dielën, më 9 nëntor, drejtori i ORF-it udhëtoi në Jerusalem për të riafirmuar qartë mbështetjen e Austrisë ndaj Izraelit dhe të drejtës së tij për të marrë pjesë në festival, shkruan EurovisionFun.

Eurovisioni vitin e ardhshëm shënon 70-vjetorin e tij, dhe Izraeli ka qenë prej dekadash një pjesëmarrës i rëndësishëm i këtij eventi.

Drejtori i KAN-it deklaroi se nuk ekziston asnjë bazë ligjore apo arsye për përjashtimin e Izraelit nga Eurovision 2026, duke theksuar se vendi ka respektuar gjithmonë rregullat e EBU-së dhe do të vazhdojë t’i zbatojë ato.

Presidenti Isaac Herzog nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë editoriale dhe operacionale të KAN-it si transmetuesi publik i vendit.

Pas marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, votimi që do vendoste për pjesëmarrjen e Izraelit u anulua dhe u zëvendësua me një sesion diskutimi që mbahet në dhjetor. Sipas burimeve, rreziku i përjashtimit të Izraelit është minimal dhe vendi merr pjesë në Eurovision 2026.

Mbështetja e fortë e Austrisë ka pasur rol vendimtar, dhe vizita e Weissmann-it në Rezidencën Presidenciale në Jerusalem, ne deklaratat e tij, konsiderohen gjerësisht si një konfirmim i pashpallur i pjesëmarrjes së Izraelit në festivalin e vitit të ardhshëm. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version