Ushtria izraelite njoftoi se ka vrarë Ali Shadmanin, i cili identifikohet si shefi i shtabit të Iranit gjatë kohës së luftës dhe komandanti më i lartë ushtarak iranian, në një sulm në Teheran.
Sipas mediave ndërkombëtare, ushtria e përshkroi Shadmanin si “komandantin më të lartë ushtarak” të Iranit dhe “njeriun më të afërt” të liderit suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, raporton televizioni “Al Jazeera”.
Ndërkaq, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim apo koment zyrtar nga ana e Iranit.
Ali Shadmani ishte emëruar në këtë post më 13 qershor 2025, vetëm disa ditë pasi Izraeli nisi sulmet e tij kundër Iranit, të cilat vranë disa komandantë të lartë, përfshirë edhe paraardhësin e Shadmanit, gjeneral-lejtënantin Gholam Ali Rashid.
Të dy, Rashid dhe Shadmani, kanë drejtuar Shtabin Qendror të Khatam al-Anbiya, një njësi që ka për detyrë koordinimin e operacioneve midis ushtrisë së rregullt iraniane dhe Gardës Revolucionare.