UBT News

Izraeli kërcënon Hamasin: Nëse pengjet nuk lirohen do zbatojmë planin e Trumpit

Izraeli kërcënoi se mund të nisë një “luftë të re” kundër Hamasit dhe të zbatojë planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të zhvendosur palestinezët nga Gaza nëse militantët e grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk i lirojnë pengjet këtë fundjavë.

Komentet e Ministrit të Mbrojtjes të Izraelit, Israel Katz, erdhën menjëherë pasi grupi palestinez Hamas tha se nuk do të dorëzohej ndaj “kërcënimeve” të SHBA-së dhe Izraelit për lirimin e pengjeve në kuadër të një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi.

Ndërmjetësuesit, Katari dhe Egjipti, po përpiqen ta shpëtojnë marrëveshjen e armëpushimit që hyri në fuqi muajin e kaluar, sipas një burimi palestinez dhe një diplomati të njohur me bisedimet, raporton AFP-ja, ndërsa Hamasi tha se negociatori i tij kryesor ishte në Kajro.

Armëpushimi ka ndaluar shumicën e luftimeve që zgjatën më shumë se 15 muaj dhe ka bërë që pengje izraelite në grupe të vogla të lirohen në këmbim të palestinezëve të ndaluar nga Izraeli.

Por, marrëveshja, aktualisht në fazën e saj të parë 42-ditore, po kalon nën një periudhë presioni në rritje.

Palët luftuese, të cilat ende nuk kanë rënë dakord për fazat e ardhshme të armëpushimit, kanë shkëmbyer akuza për shkelje të saj, duke nxitur shqetësime se dhuna mund të rinisë.

Katz tha se Izraeli do të rinisë luftën nëse Hamas nuk liron pengjet të shtunën, për kur ishte planifikuar një shkëmbim i gjashtë i pengjeve dhe të burgosurve sipas kushteve të marrëveshjes.

Hamasi ka thënë se do të shtyjë lirimin e pengjeve duke cituar shkelje të Izraelit, dhe disa orë më vonë, Trumpi paralajmëroi se “ferri” do të shpërthejë nëse militantët palestinezë nuk lirojnë “të gjithë” pengjet deri atëherë.

Nëse luftimet rinisin, Katz tha se “lufta e re në Gaza… nuk do të përfundojë pa mundjen e Hamasit dhe lirimin e të gjithë pengjeve”.

“Ajo gjithashtu do të mundësojë realizimin e vizionit të presidentit të SHBA-së, Trump, për Gazën”, shtoi ai.

Izraeli ka premtuar vazhdimisht se do ta mposhtë Hamasin dhe do të lirojë të gjitha pengjet, që nga sulmi i grupit palestinez më 7 tetor 2023 që shkaktoi luftën.

Exit mobile version