UBT News

Izraeli ka zhvilluar bisedime sekrete me Rusinë për Iranin dhe Sirinë gjatë armëpushimit

Izraeli ka zhvilluar negociata sekrete me Rusinë mbi Iranin dhe Sirinë gjatë armëpushimit të arritur me Teheranin, thuhet në një lajm të medias izraelite të mërkurën, transmeton Anadolu.

Transmetuesi shtetëror izraelit KAN tha se Tel Avivi ka mbajtur kontakte të nivelit të lartë me Moskën në një përpjekje për të gjetur zgjidhje diplomatike si në lidhje me Iranin, ashtu edhe me Sirinë.

Pas ofertës së Rusisë për të ndërmjetësuar midis Izraelit dhe Iranit, autoritetet izraelite thuhet se kanë filluar bisedimet me Moskën rreth një javë pasi u shpall armëpushimi.

Në lajm nuk janë dhënë detaje specifike rreth përmbajtjes së bisedimeve. Ndërkohë, thuhet gjithashtu se Izraeli po kërkon një marrëveshje më të gjerë me SHBA-në mbi Iranin.

Sipas lajmit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet ta ngrejë çështjen gjatë takimit të tij të planifikuar me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Washington javën e ardhshme.

Tel Avivi thuhet se synon të përcaktojë një kornizë mbi Iranin të ngjashme me marrëveshjen e arritur më parë me Libanin. Izraeli nisi sulme ajrore ndaj Iranit më 13 qershor, të cilat u ndaluan pas një njoftimi për armëpushim nga Trump më 24 qershor.

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit me Iranin, zyrtarët izraelitë kanë diskutuar zgjerimin e “marrëveshjeve të normalizimit”, të njohura edhe si Marrëveshjet Abrahamike dhe është pretenduar se negociatat me Sirinë janë gjithashtu duke u zhvilluar si pjesë e kësaj përpjekjeje.

Exit mobile version