UBT News

Izraeli i kërkon SHBA-së të mos heqë Gardën e Iranit nga lista e organizatave terroriste

Izraeli sot i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të mos e heqin Gardën Revolucionare të Iranit nga lista e zezë e organizatave të huaja terroriste, përcjell UBT News.

Trupat e Gardës Revolucionare Islamike “është një organizatë terroriste që ka vrarë mijëra njerëz, përfshirë amerikanë”, thanë në një deklaratë të përbashkët kryeministri Naftali Bennett dhe ministri i Jashtëm, Yair Lapid.

“Ne refuzojmë të besojmë se Shtetet e Bashkuara do të heqin përcaktimin e saj si një organizatë terroriste”, thanë ata.

Deklarata vjen pasi Shtetet e Bashkuara të mërkurën thanë se Uashingtoni dhe Teherani ishin afër marrëveshjes për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.“Ne jemi afër një marrëveshjeje të mundshme, por nuk jemi ende aty”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price. “Ne mendojmë se çështjet e mbetura mund të kapërcehen”.

Sipas disa burimeve, çështjet e pazgjidhura përfshinin kërkesat e Teheranit që Uashingtoni të hiqte Gardën Revolucionare nga lista e organizatave terroriste.

SHBA përcaktoi Gardën si një “organizatë të huaj terroriste” në prill të vitit 2019, kur në pushtet ishte ish-presidenti amerikan Donald Trump. Kjo erdhi një vit pasi Trump tërhoqi SHBA-të nga marrëveshja bërthamore. Kjo marrëveshje i kishte dhënë Iranit lehtësim nga sanksionet – në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor.

Kjo u pa nga fuqitë botërore si mënyra më e mirë për të ndaluar Iranin nga ndërtimi i një bombe bërthamore – një qëllim që ky i fundit gjithmonë e ka mohuar. Por marrëveshja filloi të shpërbëhej në vitin 2018 kur Trump u tërhoq nga ajo përpara se të vendoste sanksione të ashpra ekonomike ndaj Republikës Islamike.

Teherani u kundërpërgjigj duke u tërhequr nga angazhimet e veta, duke përfshirë pasurimin bërthamor.

Bisedimet e drejtpërdrejta për të ringjallur paktin kanë vazhduar për javë të tëra në Vjenë midis Iranit, Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë, me Shtetet e Bashkuara që marrin pjesë në mënyrë indirekte.

Izraeli e konsideron armikun e tij, Iranin, një “kërcënim ekzistencial” dhe të dy vendet kanë qenë në mosmarrëveshje që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979./UBTNews/

Exit mobile version