UBT News

Izraeli hedh poshtë propozimin e fundit për armëpushim në Gaza

Qeveria izraelite ka hedhur poshtë propozimin e fundit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës, raportuan mediet lokale.

Propozimi i marrë nga Izraeli nuk mund të pranohet nga asnjë qeveri përgjegjëse”, citohet të ketë thënë një zyrtar i lartë anonim nga ”Times of Israel”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Sipas faqes së lajmeve ”Ynet”, propozimi u paraqit nga një biznesmen palestinezo-amerikan i cili thuhet se ka qenë prej kohësh i përfshirë në negociata të drejtpërdrejta me grupin ekstremist palestinez Hamas.

Sipas transmetuesit arab ”Al-Mayadeen”, i lidhur me Hezbollahun, propozimi përfshin një armëpushim 70-ditor për t’u lejuar të dyja palëve të negociojnë përfundimin e luftës, ndërsa Hamasi duhet të lirojë pesë pengje që janë ende gjallë dhe trupat e pesë të tjerëve nga Gaza.

Drafti është shumë larg propozimit të zhvilluar nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, citohet të ketë thënë një zyrtar izraelit.

Drafti i paraqitur së fundmi nga Witkoff bën thirrje për lirimin e 10 pengjeve të gjalla në këmbim të një armëpushimi 45-60-ditor.

Sipas burimeve izraelite, të paktën 20 pengje mbahen ende gjallë në Rripin e Gazës, ndërsa fati i tre të rrëmbyerve të tjerë është i pasigurt./atsh

Exit mobile version