UBT News

Izraeli fshin videon për sulmin e imagjinuar të Hamasit në Seul

Ambasada izraelite në Korenë e Jugut ka hequr një video që u publikua në internet dhe e cila shfaqte skena fiktive të personave të maskuar që sulmonin koreanët në Seul, njoftoi Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut.

Krahas videos që u postua në llogarinë e saj në Facebook të martën, ambasada izraelite kishte shkruar: “Më 7 tetor, Izraeli u sulmua nga terroristët e Hamasit. 1 mijë e 200 burra, gra dhe fëmijë u vranë dhe mbi 240 njerëz u morën peng në Gaza”.

“Imagjinoni sikur të ndodhte me ju. Çfarë do të bënit?”, shtoi ajo.

Transmetuesi koreano-jugor YTN raportoi se ambasadori i Izraelit në Seul, Akiva Tor, kishte thënë se videoja ishte për të ndihmuar koreano-jugorët “të kuptojnë situatën aktuale të luftës”.

Ministria e Jashtme e Seulit njoftoi përmes një deklarate se videoja u konsiderua “e papërshtatshme” pasi kishte tërhequr “paralele me sigurinë në një vend tjetër” dhe se i kishte kërkuar ambasadës ta fshinte atë.

Koreja e Jugut mbetet teknikisht në luftë me Korenë e Veriut, pasi një konflikt ushtarak i viteve 1950-53 përfundoi me armëpushim dhe jo me një traktat paqeje./UBTNews/

Exit mobile version