UBT News

Izraeli bombardon shtëpinë e gazetarit në Gaza – 8 të vdekur

Të paktën tetë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi ajror të ushtrisë izraelite që goditi shtëpinë e gazetarit Osama el-Arbid në zonën As-Saftavi, në veri të Rripit të Gazës, mëngjesin e sotëm. Sipas raportimeve të Al Jazeera, gazetari el-Arbid i ka mbijetuar sulmit dhe është nxjerrë i gjallë nga rrënojat.

Burime shëndetësore të Al Jazeera-s konfirmojnë se që nga orët e para të mëngjesit, të paktën 15 persona janë vrarë nga bombardimet izraelite në pjesë të ndryshme të Gazës.

Në një tjetër incident tragjik, tre palestinezë humbën jetën pasi ushtria izraelite hapi zjarr ndaj një grupi qytetarësh pranë një pike shpërndarjeje të ndihmës humanitare, e ngritur nga një organizatë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA.

Ndërkohë, në qytetin jugor të Rafahut, autoritetet lokale raportuan për 46 persona të plagosur dhe shtatë të zhdukur si pasojë e një sulmi tjetër ajror të martën.

Situata në Gaza vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut po bëjnë thirrje për ndaljen e menjëhershme të dhunës dhe mbrojtjen e civilëve, përfshirë gazetarët dhe punonjësit humanitarë.

Exit mobile version