Forcat izraelite kanë arrestuar 30 palestinezë gjatë bastisjeve të fundit ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, tha sot Shoqata Palestineze e të Burgosurve, transmeton Anadolu.
Në mesin e të ndaluarve kishte shtatë nxënës të shkollave të mesme, të cilët u morën në paraburgim nga Izraeli vetëm disa orë para provimeve të tyre përfundimtare, tha Shoqata në një deklaratë.
Ajo tha se bastisjet para agimit kishin në shënjestër nxënësit e regjistruar për provimet e shkollës së mesme, veçanërisht në qytezën Deir Istiya në provincën veriore Salfit, ku u ndaluan gjashtë nxënës dhe disa nga baballarët e tyre.
Një nxënës i shtatë u arrestua në Tulkarem, gjithashtu në veri të Bregut Perëndimor. Ndërsa baballarët e ndaluar u liruan më vonë, nxënësit mbeten në paraburgim izraelit, tha grupi.
Arrestimet erdhën ndërsa ministrat dhe politikanët izraelitë kanë intensifikuar thirrjet për aneksimin e Bregut Perëndimor, duke përshkallëzuar më tej tensionet në territorin e pushtuar.
Sipas Ministrisë palestineze të Arsimit, 67 nxënës të shkollave të mesme janë penguar të japin provimet e tyre këtë vit për shkak të ndalimeve nga ana e Izraelit. Izraeli ka arrestuar mijëra palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga fillimi i luftës së tij gjenocidale në Gaza në tetor 2023.
Sipas shifrave palestineze, të paktën 988 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 7.000 janë plagosur në Bregun Perëndimor nga forcat izraelite dhe kolonët e paligjshëm që nga tetori 2023.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) korrikun e kaluar e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.