UBT News

IZRAEL – Ministri i Sigurisë paralajmëron për dorëheqje në rast të një marrëveshjeje me Hamasin

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i njohur për pozitat e tij të ashpra, ka paralajmëruar se do të dorëhiqet nga qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu në rast se një marrëveshje arrihet me Hamasin për lirimin e pengjeve që mbahen në Rripin e Gazës. Ben-Gvir e ka quajtur çdo marrëveshje të tillë si një “kapitullim” dhe ka kërkuar që Izraeli të ndalojë plotësisht dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza si pjesë e një strategjie për të nënshtruar Hamasin.

Në këtë kontekst, Ben-Gvir ka ftuar edhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich, që të bashkohet me të për të kundërshtuar këtë marrëveshje, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të kërkojë të rrëzojë qeverinë, edhe pse largimi i grupit të tij mund ta lë qeverinë pa shumicë. Kryeministri Netanyahu ka 68 vendet në parlament, dhe një largim i këtyre grupeve do të mund të krijonte probleme për shumicën e tij parlamentare.

Në anën tjetër, opozita ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur një marrëveshje për lirimin e pengjeve, duke ofruar një “rrjet sigurie” për realizimin e saj./UBTNews/

 

Exit mobile version